Pagoi gati 7 mijë euro për një natë, Gërvalla nuk takohet me asnjë zyrtar amerikan (VIDEO)

21:38 | 22 January 2025
pagoi-gati-7-mije-euro-per-nje-nate,-gervalla-nuk-takohet-me-asnje-zyrtar-amerikan-(video)

Është Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, por është ministrja e parë që për 4 vite të plota mandat nuk ka arritur t’i sjellë vendit asnjë njohje të re.

Përkundrazi, Donika Gërvalla-Schwarz ka arritur ta fusë Kosovën në telashe me shumë vende të botës, raporton Kiks Kosova.

Ajo është e njohur për dhjetëra gafa që i ka bërë në profilet e saj nëpër rrjete sociale, kryesisht në Twitter.

E përfshirë plotësisht në fushatë me Lëvizjen Vetëvendosje, si numri 3 në listën e Kurtit, Gërvalla, që ndan pozitën e kreut të Listës Guxo me Faton Pecin, u shkëput për dy ditë nga ky angazhim politik.

Megjithatë, ajo ishte e qetë në rrjetet sociale, dhe udhëtoi për në Amerikë.

Udhëtimi i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shkoi siç ishte planifikuar. Ajo nuk arriti të jetë pjesë e inaugurimit të Presidentit Trump, madje as të takohej me ndonjë politikan atje.

Burime brenda Ministrisë së Gërvallës bëjnë të ditur se ajo u refuzua nga administrata e Trumpit.

Udhëtimin e bëri në heshtje, por u zbulua nga këshilltari i saj i lartë politik, Rexhep Gjergji, i cili publikoi një fotografi nga hoteli Waldorf Astoria në Uashington, D.C.

Nëse bëni kërkim për rezervim në këtë hotel gjatë atyre ditëve, çmimet variojnë nga 1500 deri në 7000 dollarë për një natë.

Sipas informacioneve që KiKS Kosova ka, për një natë në këtë hotel, kryediplomatja kosovare pagoi 3500 dollarë, pasi ishte periudha kur shumë persona nga mbarë bota kishin udhëtuar për në Uashington.

KiKS Kosova gjatë gjithë ditës së sotme ka provuar të kuptojë më shumë për udhëtimin e Gërvallës dhe stafit të saj në Uashington, por asnjëri nga stafi i saj, përfshirë edhe vetë Gërvallën, nuk është përgjigjur në telefon.

Megjithatë, zyra për informim e MPJD-së ka dhënë një përgjigje të shkurtër: “Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth takimeve zyrtare të zhvilluara atje nuk do të mund të flasim në këtë moment”.

Gjergji ka publikuar vetëm një foto nga takimet amerikane, me ish-emisarin e administratës së parë Trump, Richard Grenell dhe atë bashkë me të birin, që u takua një ditë pas inaugurimit në hollin e Hotelit, çmimet e të cilit shkojnë deri në 7 mijë dollarë.

Djali i Rexhepit, Arian Gjergji ishte ai që publikoi foton nga ky hotel dhe për publikun mbetet e paqartë nëse vizita e tij në Uashington ishte paguar me paratë e buxheti të Kosovës.

Kiksi ka provuar të marrë edhe qëndrimin e djalit të Rexhep Gjergjit, Arianin, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Sidoqoftë babi i tij, këshilltari i lartë i Donika Gërvallës, pasdite ka shkruar në telefonin e Kiksit, duke pyetur se “kush jemi ju”, e po ashtu ka njoftuar se momentalisht gjendet jashtë Kosovës. /Klankosova.tv

Komento: