Qeveria e Ramush Haradinaj mund t’i ketë ditët e numëruara.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë takuar sot ku kanë diskutuar për përgatitjet që kanë filluar t’i bëjnë për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Ramush Haradinajt.
Kreu i Vetëvendosjes ka theksuar se me Mustafën u pajtuan që t’i bëjnë përgatitjet dy partitë bashkë për ta rrëzuar Qeverinë.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, e jo por korrupsion institucional.
“Sot takova kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Ditë më parë kreu i LDK-së paralajmëroi nisjen e takimeve me partitë opozitare për inicimin e mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.