
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri në karrierën e tij, duke iu bashkuar Fenerbahçes pas transferimit nga RCD Mallorca gjatë afatit kalimtar të verës.
Menjëherë pas prezantimit të tij në klubin turk, Fenerbahçe ka nxjerrë në ankand dy fanellat e nënshkruara nga Muriqi gjatë ceremonisë së prezantimit, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e madhe të tifozëve.
Sipas njoftimit të klubit, fanellat me autografin e sulmuesit kosovar janë vendosur në shitje përmes ankandit, ndërsa interesimi ka qenë i menjëhershëm, me ofertat që kanë nisur të rriten me shpejtësi. Deri tani, oferta më e lartë ka arritur në 191 euro.
Mbetet të shihet se deri ku do të shkojë vlera e tyre, ndërsa tifozët e Fenerbahçes po garojnë për të siguruar një kujtim të veçantë nga rikthimi i Muriqit në Stamboll.