Pak kush do ta besonte, Kurti u pajtua që kompania e shtetit të Serbisë të operojë në Veri

18:16 | 21 Qershor 2022

Dokumenti u nënshkrua. Kosova do t’i japë kompanisë së shtetit serb leje për të operuar në veri të vendit. “Elektroserver” kërkonte licencimin që nga viti 2020.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë do t’i japë leje kompanisë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” në mënyrë që ajo të operojë në veri të vendit si “Elektrosever”.

Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan të martën në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” është përgatitur për këtë që nga dhjetori i vitit 2020. Atëherë, kjo kompani kishte aplikuar për leje në ZRRE.

Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.

Sipas të dhënave në ARBK, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, posedon 100% të aksioneve të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”

Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike.

Ashtu siç paralajmëroi para një jave zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, edhe marrëveshja parasheh se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq njoftuan ndryshe nga njëri-tjetri për arritjen e dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje kishin negociuar dhe ishin dakorduar ish-kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

Siç tha Bislimi para një jave, dakordimi i sotëm nuk e ndryshoi asnjë presje nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, kohë kur në krye të shtetit ishin njëherë Hashim Thaçi, e më pas Isa Mustafa.

“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, kishte shkruar Bislimi të hënën e javës së kaluar.

Isa Mustafa: Veprim i arsyeshëm nga Qeveria, pikëpyetje e madhe se a do ta zbatojë Serbia

Ish-kryeministri Isa Mustafa i tha Gazetës Express se marrëveshja e arritur në vitin 2013 dhe 2015 kishte pasur qëllim ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në fushën e energjisë.

“Prandaj edhe kjo që me përulësi e ka pranuar Qeveria e VV-së është një veprim i arsyeshëm. Duke i njohur veprimet e Serbisë, për mua është pikëpyetje e madhe se a do ta zbatojë”, tha ai.

Mustafa shprehu dyshime se a do ta zbatojë Serbia këtë marrëveshje.

“Duke i njohur veprimet e Serbisë, për mua është pikëpyetje e madhe se a do ta zbatojë. Si do t’iu referohet Elektroseveri institucioneve të Kosovës në ndjekjen e procedurave”, tha ai.

Përmbajtja e marrëveshjes

Emisari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak publikoi dokumentin me detajet e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes.

Fillimisht, përmendet se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Dokumenti po ashtu parasheh që brenda shtatë ditëve të lëshimit të lejes, “Elektrosever” do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.

“Elektrosever” do të pajisjet me kodet identifikuese, ashtu që të kryejë aktivitetet që i parasheh licenca brenda 15 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in.

Pastaj, në një periudhë 30-ditore, KEDS dhe KOSTT (nën ndërmjetësim të BE-së nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Në pikën e gjashtë të udhërrëfyesit thuhet që brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizim të infrastrukturës ekzistuese.

Pas 21 ditësh, parashihet që ZRRE t’i miratojë këto plane në parim.

Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për “Elektrosever-in”, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Komento: