Pak orë para se të fillojë shqiptimi i gjobave për vozitësit e targave ilegale, Sveçla del me një lutje për qytetarët

23:38 | 21 November 2022

‘Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull, njëjtë edhe sot për demokracinë e ligjin tonë’

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e sotme në Bruksel dhe ato të disa javëve në veri.
Sveçla tha se kohëve të fundit është “shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë”.

Ai tha se qëllimi është për të shtuar pasigurinë tek qytetarët, derisa po shpërndahen kinse informata duke asociaciuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme.

“Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikëri e vendosmëri.
Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”,shkroi Sveçla.

Ai tha se ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.

“Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta.Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot. Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë!”,shtoi ai.

Komento: