
Vendimi i menaxhmentit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për caktimin e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Divizionit të Prokurimit vazhdon të nxis pakënaqësi në këtë institucion.
Kjo ka ardhur pas vendimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv, Burim Leci, për caktimin e Merita Zekajt si Ushtruese e Detyrës së Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit për periudhën 24 nëntor 2025 – 23 nëntor 2026. Vendimi është marrë pas pensionimit të shefit aktual të prokurimit, ndërsa menaxhmenti i AKP-së arsyeton se caktimi është bërë për të garantuar “vazhdimësinë e punës”, duke u bazuar në Nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publik.
Zyrtarja e Prokurimit, Drita Gjonbalaj, e cila ka kundërshtuar ashpër caktimin, duke thënë se është anashkaluar padrejtësisht dhe se procesi ka qenë jotransparent dhe diskriminues. Në disa komunikime zyrtare drejtuar menaxhmentit të AKP-së, Gjonbalaj ka kërkuar rishqyrtimin dhe anulimin e vendimit, duke theksuar se ajo është ndër themelueset e sistemit të prokurimit publik në Kosovë, posedon licencë të prokurimit që nga viti 2004, është eksperte e certifikuar ndërkombëtarisht, ka gradën Doktor i Shkencave Ekonomike me fokus në prokurimin publik, si dhe është punëtorja me përvojën më të gjatë në këtë fushë brenda AKP-së.
Sipas saj, për vite me radhë është anashkaluar sistematikisht në avancim profesional, pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve ligjore dhe profesionale. Gjonbalaj shton se ekzistojnë edhe vendime të Avokatit të Popullit që konstatojnë diskriminim dhe pengesë të qëllimshme në ngritjen e saj në detyrë. Më tej thekson se transferimi i Merita Zekajt nga Zyra Ligjore në Prokurim është bërë pa konkurs publik, duke e cilësuar këtë si vazhdim të praktikave jotransparente dhe favorizuese brenda institucionit.
Në përgjigjet zyrtare përmes emailit, drejtuar Gjonbalajt, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Burim Leci, ka theksuar se caktimi i Ushtrueses së Detyrës është bërë në përputhje me Ligjin dhe se procedurat ligjore janë respektuar. Mediat kanë kërkuar sqarim zyrtar nga AKP lidhur me akuzat. Në një përgjigje me shkrim përmes emailit, AKP thekson se vendimi është marrë në përputhje të plotë me ligjin.
“Vendimi për caktimin e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit është marrë duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, konkretisht Nenin 35, pika 2, i cili përcakton se ushtruesi i detyrës caktohet nga zyrtari më i lartë drejtues i institucionit, nga radhët e zyrtarëve të kategorisë pasuese”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Sipas AKP-së, Merita Zekaj është caktuar pasi mban pozitën më të lartë (zyrtare e lartë) në Divizionin e Prokurimit dhe rrjedhimisht i përket kategorisë më të lartë pasuese, ndërsa Gjonbalaj mban pozitë më të ulët në të njëjtin divizion. Pavarësisht kësaj, Gjonbalaj vazhdon të kërkojë anulimin e vendimit, duke pretenduar se ai është i paarsyetuar, arbitrar dhe në kundërshtim me parimin e meritokracisë.
Ajo vlerëson se caktimi i një Ushtruese Detyre për një periudhë njëvjeçare “praktikisht bllokon hapjen e konkursit” dhe krijon favorizim të drejtpërdrejtë. Gjonbalaj ka paralajmëruar sërish ankesë në institucionet përkatëse në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShC) si dhe tek Avokati i Popullit./Telegrafi.