“Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit do prodhojë efekte të shpejta”

14:26 | 08 December 2018

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se pakoja e ligjeve kundër korrupsionit do prodhojë efekte të shpejta.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka vlerësuar punën e bërë në hartimin e legjislacionit kundër korrupsionit.

Sipas ministrit Tahiri, këto ligje të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Kosovës, do t’i japin më shumë kuptim shënimit të “Javës Kundër Korrupsionit”.

Ky është postimi i tij i plotë:

Ditëve në vijim do të shënojmë “Javën Kundër Korrupsionit” dhe jam tejet i lumtur që këtë vit, përpjekjeve tona shtetërore dhe shoqërore kundër kësaj dukurie, i kam kontribuar me hartimin e ligjeve jashtëzakonisht të rëndësishme siç është Kodi Penal, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe ai për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të cilat tashmë janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Lufta kundër korrupsionit, nuk duhet parë kurrë vetëm si dimension i përmbushjes së kritereve evropiane, sepse në radhë të parë kjo luftë është e nevojshme për të rrënuar idenë e abuzimit me autorizimet publike.

Prandaj, duhet të jemi të përgjegjshëm dhe më të vendosur se kurrë që këtyre ligjeve që i kemi miratuar, t’iu japim shpirt dhe t’i bëjmë mënyrë jetese të përditshme. Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit do prodhojë efekte të shpejta. Agjenda “Drejtësia 2020” angazhim themelor të saj e ka pikërisht implementimin efikas të këtyre ligjeve.

Komento: