
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e 8 muaj burgim në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Pas vuajtjes së dënimit me burgim, Lekajt i ndalohet për 3 vjet e 6 muaj ushtrimi i funksioneve në administratën publike.
Rasti lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Çështja ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë.