Pal Lekaj i AAK-së skeptik për heqjen e vizave, thotë se procesi është i lidhur me dialogun me Serbinë

09:02 | 10 October 2022

Lekaj skeptik për heqjen e vizave, thotë se procesi është i lidhur me dialogun me Serbinë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka folur për liberalizimin e vizave, duke shtuar se edhe pse Kosova ka përmbushur kriteret deri më tani nuk ka pasur seriozitet nga bashkësia ndërkombëtare.

Madje ai është skeptik se liberalizimin mund të ndodh, duke shtuar se ky proces është i lidhur me përparimin në dialogun me Serbinë.

“Sa i përket liberalizimit të vizave dihet që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave apo lëvizje të lirë mirëpo deri me tani nuk kemi pasur ndonjë seriozitet të bashkësisë ndërkombëtare që ne të kemi liberalizim të vizave”.

“Mirëpo unë mendoj që më tepër është çështje politike sesa për kritere sepse kemi përmbushur kriteret dhe kjo është e lidhur me progresin në dialog. Dashtë zoti të kemi liberalizim të vizave, por unë jam skeptik ne atë drejtim”.

Ndërsa për Ligjin e pagave, Lekaj tha se kanë shkuar muaj të tërë dhe ende nuk ka lëvizur asgjë në këtë drejtim.

“Unë nuk po shoh ndonjë progres dhe lenë për të dëshiruar. Ne kemi pasur një rezolutë që është miratuar edhe nga shumica në parlament dhe është dashur të vijë në mars në Kuvend të miratohet, por kanë shkuar muaj dhe ende nuk ka lëvizur Ligji i pagave”.

Komento: