Pal Lekaj ndërhyn dhe qesh gjatë dëshmisë së Lutfi Zharkut, gjykatësja ia tërheq vërejtjen

15:43 | 02 Tetor 2023
pal-lekaj-nderhyn-dhe-qesh-gjate-deshmise-se-lutfi-zharkut,-gjykatesja-ia-terheq-verejtjen

Në sesionin e pasdites në rastin e njohur si “53-milionëshi”, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, ia ka tërhequr vërejtjen të akuzuarit Pal Lekaj, për ndërhyrjet dhe të qeshurat gjatë përgjigjeve në dëshminë e ish-ministrit Lutfi Zharku.

“Du me ia tëheq vërejtjen të akuzuarit Pal Lekaj, me paralajmërim që qoftë se gjatë seancës përsëritet, konstatojmë vërejtjen me shkrim dhe do të largohet nga salla”, tha gjykatësja Namani.

Seanca po vazhdon me dëshminë e Zharkut.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, duke dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “53-milionëshi”, tha se Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga tani ish-ministri Pal Lekaj nuk ka pasur të drejtë të nënshkruajë marrëveshjen e “53-milionëshit”.

“Jo, me arsye për shkak se menaxheri i kontratës është ai që përcakton koston e saj, në këtë rast kompania Hill International”, u përgjigj Zharku.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani, Zharku tha se për marrëveshjen e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Bechtel-Enkas”, kishin diskutuar vetëm në Kuvend gjatë interpelancës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, i pyetur nga gjykatësja Namani se a kishte të drejtë Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga tani i akuzuari Lekaj të lidhte një marrëveshje pa kosto, ai tha se beson që është gabim një gjë e tillë.

“Tjetër është e drejta, gabim është lidhja e një kontrate të tillë pa kosto, me arsyen për shkak se nuk e keni definu koston, pastaj ju i hapni rrugë për ridefinim ose rishqyrtim të asaj kostoje”, u përgjigj Zharku.

Ai tha se në bazë të gjendjes si e kishte lënë Ministrinë, nuk ka qenë e nevojshme të bëhet pagesa prej 53 milionë euro, por se kjo ishte keqmenaxhim.

“Keqmenaxhim, duke ju referuar nënshkrimit të një shume që ka qenë në kundërshtim me kontratën dhe rekomandimit të dhënë nga kompania mbikëqyrëse Hill International”, tha ai.

Ai shtoi se në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë ta procedojë pa mendimin e kompanisë.

“Është çështje ligjore ajo dhe s’ka pas të drejtë me procedu pa mendimin e kompanisë Hill International. Nuk keni të drejtë me bo pa menaxherin e kontratës, për shkak se nëse shkoni në Arbitrazh, ata duhet me mbrojtë”, tha ai.

Dëshmia e Zharkut pritet të vazhdojë edhe në sesionin e pasdites së kësaj seance.

Komento: