Deputetët e AAK-së vazhdojnë përgatitjet për dimër, edhe Lekaj siguron drutë për ngrohje.
Pasi Qeveria e Kosovës po vazhdon të paralajmërojë qytetarët për një dimër të vështirë, duke përmendur krizën energjetike dhe thirrjen për të gjetur alternativa për ngrohje, deputetët e AAK-së kanë filluar përgatitjet.
Siç njoftoi gjatë ditës së shtunë, Besnik Tahiri, se ka siguruar drutë për dimër, njëjtë ka vepruar edhe kolegu i tij deputeti, Pal Lekaj.
Deputeti i AAK-së, përmes një fotografie të postuar në Facebook, njoftoi, se përgatitjet për dimrin “me mungesë të energjisë” kanë filluar.
“Po fillojmë përgatitjet për një dimër më të vështirë sesa herëve të tjera. Me mungesë të energjisë elektrike dhe rritje të çmimeve të produkteve esencial”, ka shkruar Lekaj.
Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri gjatë ditës së djeshme tha, se qeveria është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit.
“Kjo qeveri është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit. Nuk është për t’u befasuar sepse shumica e anëtarëve të këtij kabineti, kurrë në jetën e tyre nuk kanë menaxhuar me staf, burime, dhe as nuk janë përballur me ndonjë sfidë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.