Palm Beach riemërton aeroportin në nder të Donald Trump, familja e presidentit realizon uljen e parë

18:25 | 09 Korrik 2026
palm-beach-riemerton-aeroportin-ne-nder-te-donald-trump,-familja-e-presidentit-realizon-uljen-e-pare

Qarku Palm Beach në Florida vendosi të enjten të riemërtojë aeroportin e tij në nder të presidentit amerikan Donald Trump, duke iu bashkuar një liste gjithnjë e më të gjatë institucionesh, ndërtesash, programesh qeveritare, anijesh luftarake dhe nismash që tashmë mbajnë emrin e republikanit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Palm Beach tashmë do të quhet “President Donald J. Trump International Airport”, një vendim që konsiderohet si një shenjë mbështetjeje për presidentin, i cili ka zgjedhur Floridën si vendbanimin e tij dhe ku ndodhet edhe resorti i tij i famshëm, Mar-a-Lago.

“Nuk besoj se ka ndonjë person tjetër në të gjithë Floridën që të jetë më i lidhur me Palm Beach sesa Donald Trump”, deklaroi djali i tij, Eric Trump, në një intervistë për Fox News.

Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, emri i tij i është vendosur një klase të planifikuar anijesh luftarake, një programi vizash për të huajt e pasur, një platforme qeveritare për barnat me recetë, si edhe llogarive federale të kursimit për fëmijët.

Emri i Trump është shtuar gjithashtu në ndërtesën e Institutit Amerikan të Paqes, ndërsa gjykatat hodhën poshtë përpjekjen për të riemërtuar Qendrën për Artet Skenike “John F. Kennedy”.

Eric Trump dhe familja e tij udhëtuan me një avion privat, i cili u bë mjeti i parë ajror që u ul në aeroportin e saporiemërtuar në Palm Beach, në orët e para të mëngjesit.

“Nuk kishte asnjë mundësi në botë që të lejoja një avion të UPS-it të ishte i pari që do të ulej”, tha ai gjatë një interviste për emisionin “Fox & Friends”.

Sipas burimeve të aeroportit, procesi i riemërtimit kushtoi rreth 5.5 milionë dollarë.

Edhe aeroporte të tjera në SHBA mbajnë emrat e ish-politikanëve. Një prej tyre është aeroporti i Little Rock në Arkansas, i cili është riemërtuar në nder të Bill dhe Hillary Clinton. Po ashtu, aeroporte në Las Vegas dhe San Jose të Kalifornisë mbajnë emrat e ish-senatorëve amerikanë. /Panorama

Komento: