Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, do ta vizitojë Kosovën.
Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, i cili është emëruar edhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, do ta vizitojë Republikën e Kosovës.
Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar përmes një përgjigje me shkrim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Megjithatë ende nuk është caktuar data se kur Palmer do të qëndrojë në Kosovë.
“I Dërguari Special Matthew Palmer planifikon të vizitojë Kosovën. Sidoqoftë, data e vizitës së tij nuk është caktuar ende”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë për Gazetën Express.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e Përfaqësuesit Special të SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Matthew Palmer më 30 gusht të këtij viti, me një vendim të Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, është emëruar si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar në faqen e Departamentit të Shtetit, thuhet se roli i Palmerit do të jetë që të drejtojë përpjekjet amerikane për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe në përqendrimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet Perëndimore.
Pavarësisht emërimit si Përfaqësues Special, Palmer do të vazhdojë të shërbejë si Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit në zyrën për çështje që ndërlidhen me Evropën dhe Euroazinë, pozitë kjo të cilën e mbanë që nga viti 2018. Më herët Palmer ka qenë drejtor i Zyrës për Jugun e Evropës Qendrore.
Matthew Palmer ka treguar se në agjendën e tij si pikë kryesore do të jetë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë në një intervistë për televizionin publik të Malit të Zi (RTCG), ka shprehur optimizmin e tij se një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd mund të arrihet.
Palmer si pikë kryesore në agjendën e tij do të ketë rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky që është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërkohë kërkesë e tij është që Kosova të heq vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Një prej qëllimeve tona kryesore është që t’i japim përkrahje një qeverie në Kosovë e cila është e përkushtuar në dialog, gjë që nënkupton suspendimin e taksës dhe rikthimin në tavolinën e bisedimeve” ka thënë Palmer për RTCG.
Përfaqësuesi Special i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor thotë se zgjidhja ideale për dy palët do të jetë njohja reciproke, dhe se SHBA’ja do të luaj rolin e vet prej partneri sapo dy palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
“Idealja do të ishte njohja e ndërsjellë. Sapo të dy palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve, ne do të jemi aty si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë, një marrëveshje e qëndrueshme dhe fer, e cila do t’i ndihmojë Serbisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Matthew Palmer.
Se Matthew Palmer do të vizitojë rajonin e kishte paralajmëruar edhe deputeti gjerman, Peter Beyer, gjatë vizitës që kishte pasur në Prishtinë javën e kaluar.