Palmer pas takimit me Jevtiqin e Listës Serbe kërkon pezullimin e taksës

10:40 | 05 Shkurt 2019

Zyrtari i lartë Departamentit të Shtetit të Amerikës pas takimit me Dalibor Jevtiqin e Listës Serbe ka kërkuar pezullimin e taksës.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit për Euroazi, Mathew Palmer, ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit zyrtar se vendimi i autoriteteve të Prishtinës për vendosje të taksës ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia duhet të suspendohet, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Siç shkruan agjencia e lajmeve ‘Tanjug’, Palmer këto deklarime i ka bërë në një bisedë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin në dorëheqje për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq.

Ata kanë vlerësuar se të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull ndërmjet dy shteteve duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut.

Nga kjo bisedë thuhet se është konstatuar se vendosja e taksës ka ndikuar negativisht në raportet ndërmjet dy shteteve.

Suspendimin e taksës e ka kërkuar vazhdimisht edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, madje duke potencuar se një rezistencë për mosheqjen e atij vendimi mund të ndikojë edhe në raportet Kosovë-SHBA.

Pavarësisht thirrjeve, Haradinaj mbetet i vendosur që taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Një konstatim i tillë u nxor dje edhe nga mbledhja e Grupit Parlamentar të AAK-së.

Komento: