Mathew Palmer thotë se Kosova duhet ta pezullojë taksën për 120 ose 150 ditë.
Është e mundur që e ardhmja e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për njohje reciproke të përfshijë edhe korrigjimin e kufijve. Ne nuk avokojmë, por nuk përjashtojmë që një marrëveshje ndërmjet dy shteteve të përmbajë edhe korrigjimin e kufijve, ka thënë Mathew Palmer, ndihmësasistent i Sekretarit të Shtetit, që është i specializuar për politikë të jashtme dhe për Ballkanin Perëndimor.
Këto deklarime ai i ka bërë në Zagreb teksa ka biseduar me gazetarët kroatë, ku ndër të tjera ka kërkuar edhe heqjen e taksës të vendosur ndaj produkteve serbe, ndikimin e Rusisë në Ballkan, duke bërë thirrje që SHBA-ja dhe BE-ja të kenë një politikë të unifikuar për të bërë më të mirën.
“SHBA-ja mbështet synimet për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Situata ndërmjet dy shteteve është burim i destabilizimit, dhe normalizimi i raporteve do të forconte potencialin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian. Ne e mbështesin fuqishëm dialogun e drejtuar nga BE-ja, dhe besojmë plotësisht që marrëveshja duhet të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Zemra e kësaj marrëveshje duhet të jetë njohja reciproke, pra që Serbia të njoh pavarësinë e fqinjit, Kosovës”, ka thënë Palmer para gazetarëve, duke përsëritur edhe një herë që SHBA-ja është për heqje të taksës që Kosova ka vendosur ndaj produkteve serbe, shkruan Vjesti.hr, transmeton express.
“Me qëllim të vazhdimit të dialogut, Prishtina duhet të pezullojë taksën. Të paktën një suspendim të përkohshëm për 120 ose 150 ditë, gjë që do të lejojë vazhdimin e negociatave”, ka thënë Palmer, duke shtuar se Prishtina duhet të veprojë shumë shpejt.
Palmer, gjithashtu, ka potencuar se zhvillimet e fundit i kanë kushtuar shtrenjtë Kosovës për pozitën ndërkombëtare, duke thënë qartazi se kjo është kriza më e madhe e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai teksa ka folur për përpjekjet e Rusisë për ndikim në Ballkan, ka thënë që SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë të unifikuara, pasi në disa vende raportet e administratës së Trumpit me BE-në po shihen me skepticizëm.