Një shpërthim i fuqishëm, është dëgjuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
“KP”raportoi se është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin.” – citohet se ka thënë Elshani.
Ndërkohë, medium serb “Kosovo-Online” ka publikuar pamje prej atje.
Ndryshe, në një komunikatë për media, KRU “Mitrovica” ka kërkuar nga qytetarët të sigurojnë rezerva të ujit të pijës.
“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes.
Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar” – thuhet në njoftim.