Lule në vendin ku u vra 7-vjeçarja Jonada Avdia, pushuesit braktisin plazhin e Potamit! Rrobat e familjarëve ende mbi shezlong.
Plazhi i Potamit në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, pasi u përplas për vdekje nga një gomone me drejtuesin Arjan Tase, teksa po lahej në det, sot është braktisur nga pushuesit. Pas ngjarjes së trishtë, në vendin ku mbeti e vdekur e mitura, janë vendosur lule, ndërsa rrobat e familjarëve janë ende mbi shezllonë! Pushuesit kanë braktisur edhe hotelin
Një tufë lule, një kukull që pret vajzën të luaj me të, kapelja dhe rrobat e prindërve ende mbi shezlong, janë gjithçka që kanë mbetur mëngjesin e sotëm në plazhin e Potamit në Himarë, në vendin ku u vra e mitura Jonada Avdia.
Të traumatizuar nga ngjarja e një dite me parë, ku 7-vjeçarja e cila po lahej në det u përplas për vdekje nga një gomone me drejtues efektivin Arjan Tasen, pushuesit e shumtë që kishin mbipopulluar bregdetin, mëngjesin e sotëm kanë braktisur plazhin e Potamit. Jo vetëm plazhin, por edhe në hoteli aty pranë ku ishin akomoduar pushuesit, është braktisur, kjo si një formë proteste e qytetarëve dhe solidarizimi me familjen që humbi vajzën 7-vjeçare.
Fotot nga plazhi i braktisur mëngjesin e sotëm, i ka publikuar në Facebook, gazetarja Esmeralda Keta, e cila përshkruan edhe panoramën, që la pas ngjarja tragjike e një dite më parë.
‘Mëngjes i trishtë sot në Potam… Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezllonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur… Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurte. Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë engjëll.’- shkruan gazetarja.
Ndërkohë familja Avdia ka hapur dyert e mortit, dhe ku sot do të përcjellë për një banesën e fundit 7-vjeçaren, jeta e së cilës u pre në mes ende pa e nisur.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë (2 gusht) në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një gomone, teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.
Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se gomonia nuk ishte e tij, por ia ka marrë mikut të tij për përdorim dhe ka shtuar se gomonia kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje. Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra.