Bie bruto-produkti vendor.
Bruto Produktit Vendor në Kosovë ka vazhduar me trendin negativ të rënies edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, ndonëse pak më lehtë se në tremujorin e dytë.
Treguesi më i rëndësishëm ekonomik, në periudhën korrik-shtator, ka shënuar rënie për 7.25 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së shumti në këtë pjesë kanë ndikuar zvogëlimi i kapitalit dhe eksportit të shërbimeve.
Rënie të dukshme kanë shënuar edhe veprimtari ekonomike si tregtia, ndërtimtaria e aktivitetet financiare.
Kurse rritje ka industria, informacioni dhe komunikacioni dhe aktivitetet argëtuese.
Dëmtuesi kryesor po cilësohet të jetë pandemia COVID-19, që ka vazhduar edhe gjatë verës.
“Nuk ka pasur eksport dhe import të mjaftueshëm, bizneset e ndryshme kanë shkuar në pushim, kanë shkuar në bankrot, për shkak të lëndës së parë e fuqisë punëtore”, thotë ekonomisti Enver Balaj, transmeton Klan Kosova.
Një këndellje në këtë aspekt është paraparë përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Por zëvendësministri në detyrë i Financave, Kushtrim Brahimaj, alarmon se ekonomia mund të bie edhe më poshtë, nëse nuk miratohet buxheti 2021, nga i cili varet ligji.
“Qoftë subvencionimi për biznes, qoftë 200 milionëshi për rimëkëmbje ekonomike. Asnjëra nga këto nuk mund të implementohet nëse nuk kemi ligj të buxhetit të miratuar”, shprehet Brahimaj.
2020-ta ka qenë hera e parë me këtë lloj rënie të BPV-së në Kosovë.