Pandemia e ka ulur nivelin e imunizimit të fëmijëve, miliona rrezikohen nga sëmundje serioze

17:36 | 15 July 2020

Dy agjenci të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se niveli i imunizimit të fëmijëve kundër sëmundjeve të rrezikshme, si fruthi, tetanosi dhe difteria, ka rënë në masë alarmante gjatë pandemisë, duke i rrezikuar miliona fëmijë.

Në një raportim të përbashkët me UNICEF-in, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha: “Vuajtjet e shmangshme dhe vdekjet e shkaktuara nga mungesa e imunizimit rutinor të fëmijëve mund të jenë shumë më të mëdha sesa vetë Covid-19.”

Tri të katërtat e 82 shteteve që morën pjesë në sondazh raportuan se janë përballur me pengesa të lidhura me koronavirusin në programet e tyre nga maji i këtij viti, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shumica e problemeve ishin të lidhura me mungesën e pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, kufizimet në udhëtime dhe numri i vogël i punëtorëve shëndetësorë. Këta faktorë ndikuan në pakësimin e shërbimeve të imunizimit apo edhe ndërprerjen e tyre.

Në raport thuhet se së paku 30 fushata për vaksinim kundër fruthit kanë qenë ose janë në rrezik të anulohen, duke lënë mundësi për përhapje të sëmundjes ngjitëse këtë vit dhe më vonë.

Numri i rasteve të fruthit edhe ashtu ishte në rritje. Në vitin 2018, nga kjo sëmundje janë prekur gati 10 milionë njerëz dhe kanë vdekur rreth 140,000 prej tyre, shumica e të cilëve ishin fëmijë, sipas të dhënave të OBSh-së.

Komento: