Një ngjarje tragjike e ka goditur sonte Francën.
Një person raportohet të ketë vdekur, nëse 6 të tjerë janë plagosur pas të shtënave të mbrëmjes së të martës pranë një tregu Krishtlindjeje në qytetin e Strasburgut, ndërkohë që policia thotë se i dyshuari i armatosur është ende në arrati.
“Një ngjarje tejet serioze që cënon sigurinë publike po ndodh në Strasburg. Banorët janë të lutur të qëndrojnë në shtëpi”, shkruante në rrjetin social “Twitter” ministri i Brendshëm francez.
“Të shtëna në qendrën e qytetit të Strasburgut. Faleminderit të gjithëve që qëndroni në shtëpi, derisa situata të qetësohet”, dërgonte mesazhin e tij zv.kryebashkiaku i qytetit, Alain Fontanel.
Por, më e rëndësishmja është “shtetrrethimi” i Parlamentit Europian që e ka selinë në Strasburg. Sipas asaj që bëhet e ditur, europarlamentarët, stafi shtesë dhe gazetarët e kanë patur të pamundur të dalin nga ndërtesa pas informimit për të shtëna, përcjell TCH.
PE është duke mbajtur aktualisht një seancë plenare, me qindra europarlamentarë dhe zyrtarë të tjerë që kanë shkuar si çdo muaj në Strasburg nga Brukseli.