Papunësia në Kosovë mbetet 10,7%

17:38 | 28 March 2025
papunesia-ne-kosove-mbetet-10,7%

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2024. Situata nuk ka ndryshuar fare që nga viti 2023, duke mbetur e njëjta shkalla e papunësisë në 10,7%.

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës.

Ndërkohë, shifrat e punësimit në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësuese, me shifrat që tregojnë ende një shkallë të lartë të papunësisë dhe një pabarazi gjinore të theksuar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e fundit ka treguar se në tremujorin e dytë të vitit 2024, shkalla papunësisë në Kosovë ishte 10,7%, kjo përqindje nuk ka ndryshuar fare në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2023.

“Shkalla e papunësisë ishte 10,7%, identike sikurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte 21,2% (5,0% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë (57,0 %), mirëpo vërehet një rënie e përqindjes (-2,8%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar (75,0%), krahasuar me meshkujt (39,1%):, thuhet në raportin e ASK-së.

Agjencia e Statistikave ka treguar se rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë (1 074 704) janë popullsi në moshë pune (85 960 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

Persona aktivë ishin 461 675 (8 862 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

Persona joaktivë ishin 613 029 (87 536 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

Persona të punësuar ishin 412 482 (7 668 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

Persona të papunësuar ishin 49 194 (1 193 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

Sipas këtij raporti rritje në punësime ka pasur më shumë tek meshkujt se sa tek femrat.

“Përqindja e meshkujve të punësuar ishte 55,9% (2,8% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Kurse përqindja e femrave të punësuara ishte 20,8% (1,2% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Shkalla e punësimit ishte 38,4% (2,5% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak)”.

ASK thotë se tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi prijnë me punësim në Kosovë.

“Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 20,2%, ndërtimtaria 11,9%, prodhimi me 11,4%, arsimi me 9,2%, administrata publike dhe mbrojtja me 7,9%, etj. Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor me 51,2% të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 47,5%.

Papunësia mbetet një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës.

Në Pulsin Publik të UNDP-së, në anektën e muajit maj 2024, thuhet se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7). %) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

Paga mesatare e tyre sillet në rreth 570 euro. Në fund të tetorit vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vendim për rritjen e pagave në sektorin publik – për 55 euro nga janari i vitit të ardhshëm dhe për 55 euro të tjera nga korriku.

Paraprakisht, në fund të gushtit, Qeveria e Kurtit vendosi edhe për rritjen e pagës minimale në 350 euro. Me vite, ajo ishte 130-170 euro./Demokracia

Komento:
loading