Para apo pas gjobave për targa ilegale, kur do të mbahet takimi i Kurtit me Vuçiqin?

18:48 | 19 November 2022

Takimi i Kurtit me Vuçiqin, para apo pas gjobave për targa ilegale?

Kryeministri Albin Kurti, pritet ta ritakojë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të gjashtën herë, dhe kjo pritet të ndodhë më së largu të hënën e javës që po hyjmë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se “me shumë gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel”, datë kjo që është një ditë përpara fillimit të masës së gjobave për të gjithë ata që kanë targa ilegale.

Por, ai tha se një takim i tillë ende s’është konfirmuar dhe se kur një gjë e tillë të konfirmohet, do të ketë njoftim për të.

Kurse, burime të REL-it thonë se takimi në mes Kurtit e Vuçiqit pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor.

Pikërisht në mesnatën e së hënës, Policia e Kosovës është e obliguar që ta zbatojë vendimin e qeverisë për t’iu shqiptuar gjoba të gjithë atyre që kanë targa ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe, e që kanë akronime të qyteteve të Kosovës.

Ndërsa, zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, tha dje se i kanë ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, teksa shtoi se shpreson se kjo do të ndodhë përpara 21 nëntorit.

“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen. Shpresoj që do të mund të vijnë shumë shpejt, dhe do të diskutojnë, siç ka thënë edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell, para 21 nëntorit dhe jo më vonë”, është shprehur Stano, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës është përballur me thirrje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për shtyrje të afatit për konvertimin e targave nga ato ilegale në targa legale, RKS.

Departamenti Amerikan i Shtetit, ditën kur qeveria vendosi për shkallëzimin e vendimit për targa tha se “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë”.

Se a do të ketë zgjidhje, apo se cila do të jetë ajo, mbetet të shihet në të ardhmen e afërt.

Komento: