Para institucioneve tona, Serbia e sjell vaksinën e COVID-19 në Kosovë

18:05 | 26 Dhjetor 2020

Ministri serb i Shëndetësisë thotë se Vuçiq i propozoi që në janar të sjellë në Kosovë vaksinën e COVID-19 për të gjitha komunitetet.

Ministri i Shëndetësisë në Serbi, Zlatibor Loncar, ka bërë të ditura prapaskenat e arritjes së vaksinës Pfizer në veri të Kosovës.

Loncar ka thënë se ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ai i cili i ka propozuar atij që gjatë kontingjentit të dytë të janarit të sjellë edhe për komunitetet tjera në Kosovë, vaksinën për COVID-19, (Pfizer, produkt amerikano-gjerman), përcjellë Klan Kosova.

”Udhëheqësit e Republikës se Serbisë janë përkushtuar për kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim. Veçanërisht në kohë pandemie e cila tashmë një vit po e terrorizon mbarë botën, ndërsa ka marrë jetën e afro 2 milionë vetave”.

”Duke pasur parasysh këtë fakt jemi të parët në rajon dhe të dytët në kontinent si pjesë e Evropës, që e kemi siguruar vaksinën Pfizer kundër Covid-19”.

”Ndaj kështu kemi nisur imunizimin e pjesës së popullatës më të rrezikuar dhe kjo në harmoni me vlerësimet profesionale të OBSH-së”.

”Prandaj konsiderojmë se është interes yni i të gjithëve, të mundësojmë që numri sa më i madh i banorëve të mbrohet nga pandemia. Dhe, kështu të shpëtojmë çdo jetë njeriu, i cili mund të rrezikohet me fatalitet nga prekja me koronavirusin”.

”Kryetari Vuçiq na ka propozuar që nga kontingjenti i ardhshëm i vaksinës kundër Covidit-19 që pritet të na mbërrijë në fillim të janarit, të sigurojmë sasi edhe për kombësitë e tjera në Kosovë”.

Tutje siç shkruan Indeksonline, Zlatibor Loncar, ka përmendur edhe vaksinimin e qytetarëve të veriut të Kosovës.

”Para dy ditësh, në Kosovë, janë vaksinuar qindra qytetarë të cilëve u është ofruar preventiva kundër infektimit vdekjeprurës. Me këtë gjë janë mbrojtur edhe nga pasojat potenciale nga pandemia”.

”Besojmë se qëllimi i secilës Qeveri përgjegjëse në botë është që çdo personi t’i ofrohet ndihma maksimalisht, në mënyrë që të shpëtohet të paktën një jetë njeriu. E të mos themi qindra mijëra vetave”, ka thënë Loncar.

Vaksinat e Covid-19 kanë arritur në Kosovë, por jo nga institucionet kosovare.

Me urdhër të Qeverisë së Serbisë në Komunat Veriore janë vaksinuar qindra qytetarë të komunitetit serb.

Komento: