Duket se vështirësit për Paris Saint-Germainin vetëm sa po shtohen.
Përveç Neymarit dhe Marto Verrattit, listës së lënduarve në skuadrën e PSG-së i është shtuar edhe sulmuesi Edinson Cavani.
Trajneri Thomas Tuchel e ka pranuar se mund të jetë pa Marco Verrattin dhe Edinson Cavanin për ndeshjen e Paris Saint-Germainit kundër Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve të martën.
Cavani shënoi golin e vetëm në fitoren e PSG-së kundër Bordeaux të shtunën, por nuk qe në gjendje ta përfundojë ndeshjen dhe u largua nga fusha duke çaluar, për shkak se e tërhoqi muskulin në kofshe.
Sulmuesi uruguaian ishte njëri prej yjeve të pakta të PSG-së që e nisi ndeshjen nga fillimi, pasi Tuchel i mbajti në stol yjet si Leandro Paredes dhe Kylian Mbappe para ndeshjes së parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve në Old Trafford.
“Kemi shumë plane B tani. Pa Neymarin mbase edhe pa Marco [Verrattin] dhe pa Edinson [Cavanin], tani na duhet një plan D”, tha Tuchel.
“Unë nuk mund të mendoj për shumë plane të ndryshme paraprakisht. Na duhet ta analizojmë Manchester Unitedin, duhet të qetësohemi dhe të kemi vetëbesim”, shtoi ai.