Para ndeshjes me Milanin, Montella “qon peshë” rossonerët

22:52 | 10 Maj 2019

Nesër mbrëma na pret një super-Sfidë në Seria A.

Vincenzo Montella, tashmë në stolin e Fiorentinës, do të përballet nesër në mbrëmje me Milanin, skuadër që e shkarkoi nga puna në Dhjetorin e vitit 2017, pas një serie rezultatesh jo të mira.

Tekniku zbuloi se ka qenë një tifoz i Milanit që i vogël, ndërsa theksoi marrëdhëniet e mira me Gattuson, por edhe një prapaskenë me Marco Fassonen, atëherë drejtor sportiv i kuqezinjve.

“Kur Gattuso erdhi ne sektorin e të rinjve, i thashë Fassones që në rast shkarkimi të parakohshëm, ai do të ishte pasuesi im më i mirë. Nesër do ta takoj me kënaqësi Gattuson dhe shpresoj që të jem më i kënaqur kur ta takoj në fund të ndeshjes”, tha Montella.

Fiorentina është zhytur në krizë rezultatesh, pasi nuk fiton që prej muajit shkurt dhe numëron 4 humbje radhazi, përfshi edhe Kupën e Italisë, ndërsa i duhet vetëm një pikë, për të siguruar edhe matematikisht mbijetesën.

“Ndaj Milanit besoj se do të marrim më shumë se një pikë, pasi është edhe pak çështje nderi. Nuk kam humbur kurrë 4 ndeshje radhazi në karrierën time, qoftë si futbollist, por edhe si trajner, ndaj duhet të ndalim këtë bilanc negativ”, tha Montella.

Komento: