Juventusit i shtohen forcat për ndeshjen me Atalantën.
Pasi e përjetoi me shumë nervozizëm humbjen në “San Siro”, Giorgio Chiellini i është bashkuar dje Juventusit në stërvitje me grupin, duke treguar se tashmë e ka kaluar plotësisht dëmtimin.
Dhe pse jo, për qendërmbrojtësin dhe kapitenin bardhezi pritet që të ketë disa minuta edhe në duelin me Atalantën, për të nisur edhe kapjen e ritmit të fushës.
Gjithsesi, në pritje të së shtunës kundër bergamaskëve, trajneri Maurizio Sarri do të rigjejë në dispozicion dy të skualifikuarit, Paulo Dybalën dhe Matthijs De Ligtin, sulmuesin dhe mbrojtësin që aq shumë iu ndje mungesa të martën në “San Siro”, sidomos në pjesën e dytë, kur kampionët vuajtën përmbysjen e frikshme nga Milani.
Plotësimi i grupit, në pritje të një tjetër dueli jetik për titullin si ky me Atalantën, është një lajm shumë i mirë për Juven, të cilës nuk i falet një tjetër hap fals të shtunën.