Para nisjes në New York flet Thaçi, thotë se Ushtria e Kosovës është proces i pakthyeshëm

12:55 | 16 Dhjetor 2018

Para nisjes në New York, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për Ushtrinë dhe rezolutën për dialogun me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, para nisjes për në Neë York, ku atje do të përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Do të udhëtoj në Neë York, ku është thirrur një mbledhje urgjente e OKB-së, tha Thaçi me të nisur konferencën.

“Dua të theksoj se vendimi i institucioneve për themelimin e Ushtrisë është një vendim historik, i drejtë, e në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve dhe me mandatin kushtetues e ligjor. Ka qenë një ditë e mrekullueshme me një votim unanim në Kuvend. Vendimi i Kuvendit ka bashkuar të gjithë njerëzit pa dallim etnik. Ka bashkuar spektrin politik. E theksoj se pjesëmarrja e komuniteteve në Ushtri, është vlerë e çmuar, është Ushtri multientike”, ka thënë Thaçi.

Ushtria e Kosovës, tha tutje ai, do të prodhojë paqe e stabilitet.

“Do t’i kryejë obligimet në përputhje me kushtetutë dhe do të punojmë shumë të ecë përpara”, tha Thaçi.

Thaçi gjithashtu tha se pavarësisht çfarë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit, vendimi për Ushtrinë e Kosovës është i pakthyeshëm.

“Sot kam takuar persona prej komunitetit serb në vende të ndryshme dhe ata ndihen mirë me këtë vendim. Nëse Serbia është e shqetësuar, qytetarët serbë në Kosovë ndihen rehat dhe komod. Prandaj do të punojmë me gjithë miqtë ndërkombëtarë. Shteti ynë po forcohet. Pas themelimit të Ushtrisë, lajmi tjetër me rëndësi ka qenë votimi i rezolutës për dialogun dje në Kuvend dhe ekipi negociator”, tha Thaçi.

Ai tha se ky dialog do të jetë final, me mundësi për marrëveshje të përhershme dhe do të rezultojë me njohje reciproke.

“Në këtë fazë kam besim që vendimi i djeshëm i Kuvendit, ekipi së bashku me institucionet dhe me udhëheqjen e saj, do të dalim të suksesshëm”, përfundoi Thaçi, duke mos pranuar t’u përgjigjet pyetjeve shtesë të gazetarëve.

Komento: