Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj dy personave të dyshuar për tentim-vrasje.
Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se pas një mosmarrëveshje në komunikacion, ata të dy për sqaruar kanë hyrë në automjetin e të dëmtuarit dhe gjatë rrugës brenda veturës e kanë sulmuar.
Përleshja ka vazhduar edhe jashtë veturës kunjëri prej tyre e ka nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privonte nga jeta e ka goditur të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të pandehuri më datë 25 janar 2025, rreth orës 17:05 në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një mosmarrëveshje në komunikacion, të pandehurit për të sqaruar hynë në automjetin e të dëmtuarit L.Q., dhe gjatë rrugës brenda veturës të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin, pastaj përleshja vazhdon edhe jashtë veturës ku në një moment i pandehuri N.D., nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privon nga jeta e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari fillimisht dërgohet në Emergjencën e Ferizajt pastaj dërgohet në QKUK- Prishtinë, ku i nënshtrohet operimit”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.