OBSH ka thënë se pandeminë nuk e mundim dot me një botë të përçarë, po shtohet rreziku i valës së dytë.
Sipas shefit të OBSH’së, kërcënimi më i madh me të cilin përballet tani bota nuk është vetë koronavirusi, por mungesa e solidaritetit dhe e lidershipit global. Më shumë se 470 mijë persona e kanë humbur betejën me sëmundjen infektive ndërsa rreziku i valës së dytë sa vjen e shtohet.
OBSH ka apeluar liderët e botës të mos e politizojnë pandeminë e koronavirusit, por të bëhen së bashku për ta luftuar.
Komentet e kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom, iu drejtuan të hënën kritikëve të tij, si presidentit amerikan, Donald Trump, në kohën kur po rriten me shifra rekord infeksionet në Brazil, Irak, Indi dhe në shtetet jugore e perëndimore të Amerikës.
Një valë e dytë e sëmundjes po raportohet në Korenë e Jugut apo në Gjermani, ndërsa vatrat e reja të infeksionit po përhapen deri në Australinë e largët.
Botës iu deshën tre muaj të arrijë një milion rastet e para, u shpreh Adanom, por 1 milion rastet e fundit u arritën në vetëm 8 ditë.
“Duket sikur çdo ditë arrijmë një rekord të ri dhe më fatkeq. Dje raportuam mbi 183 mijë raste të covidit në një ditë, më shumë se asnjëherë. Por kërcënimi më i madh me të cilin përballemi nuk është virusi vetë, por mungesa e solidaritetit dhe lidershipit global. Këtë pandemi nuk e mundim dot me një botë të përçarë.”
Të martën, numri i bartësve të covidit të ri në botë e kaloi shifrën 9 milionë, ndërsa mbi 470 mijë u shtuan edhe viktimat.
Shefi i programit të emergjencave në OBSH, Majkëll Rajan, deklaroi se rritja e rasteve nuk i atribuohet vetëm numrit më të lartë të testimeve por edhe të heqjes së masave shtrënguese.
Ai adresoi edhe raportimet se prekshmëria ndaj koronavirusit po rritet gjithnjë e më shumë mes të rinjve dhe se mesatarja moshore e sëmundjes sa vjen e ulet.
“Është një sfidë për të gjitha vendet dhe mendoj se rasti i Koresë së Jugut, por edhe të tjera, na tregojnë se edhe kur arrin ta çosh valën e infeksionit në pikën më të ulët, sërish të duhet një sistem i fortë mbikëqyrës, një infrastrukturë shumë e kualifikuar shëndetësore, por edhe një popullatë që ka vullnetin për të ndjekur udhëzimet e nevojshme.”
Ekspertët mendojnë se për shkak të rasteve të shumta asimptomatike, numri i personave të infektuar me covidin e ri e kalon shifrën globale prej 9 milionë.
OBSH-ja të hënën njoftoi shtimin e prodhimit të medikamentit “deksametazon” që është provuar se ka potencialin për të shpëtuar bartësit e koronavirusit, por trajtimi me kortizone sugjerohet vetëm për pacientët e rënduar dhe nën mbikëqyrje klinike.