Paralajmërim i frikshëm: Numri i të infektuarve me koronavirus mund të arrijë në “një miliard”

15:47 | 28 April 2020

Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi në gjithë botën.

Një miliard njerëz mund të infektohen me koronavirusin e ri në gjithë botën, nëse shteteve më të cenueshme nuk u ofrohet ndihmë urgjente, ka paralajmëruar Komiteti Ndërkombetar për Shpëtim.

Sipas tij, ndihma financiare dhe ajo humanitare nevojiten për të ndihmuar në uljen e përhapjes së virusit.

Komiteti ka përmendur se “shteteve të brishta” sikurse Afganistanit dhe Sirisë u duhet “ndihmë urgjente” për të parandaluar shpërthimet e mëdha.

Deri më tani në gjithë botën janë konfirmuar 3 milionë raste të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, ndërkohë që mbi 200,000 pacientë kanë vdekur.

Raporti i këtij Komiteti është bazuar në modelet dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kolegjit Imperial në Londër.

Grupi me bazë në Shtetet e Bashkuara, i cili u përgjigjet krizave humanitare në gjithë botën, ka thënë se faktorët sikurse numri i personave që jetojnë në një shtëpi, densiteti i popullsisë, kapaciteti për kujdes shëndetësor dhe konfliktet që tashmë ekzistojnë, mund të ndikojnë në shpërthimin e sëmundjeve tjera edhe më të mëdha.

Komento: