Paralajmërim për stuhi të forta në Kosovë, IHMK aktivizon nivelin portokalli

21:50 | 21 Korrik 2026
paralajmerim-per-stuhi-te-forta-ne-kosove,-ihmk-aktivizon-nivelin-portokalli

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për datën 22 korrik, duke bërë të ditur se i gjithë territori i vendit pritet të përfshihet nga zhvillime të fuqishme atmosferike.

Sipas IHMK-së, gjatë kësaj periudhe priten stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa zona me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.

“Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Instituti ka paralajmëruar për rrezik nga goditjet e rrufesë, përmbytjet e shpejta lokale, dëmtimet në rrjetin elektroenergjetik dhe sistemet e telekomunikacionit, si dhe dëme të mundshme në automjete, objekte, infrastrukturë dhe kultura bujqësore.

“Rreziku nga goditjet e rrufesë mund të ketë pasoja për njerëzit dhe kafshët, ndërsa breshëri dhe erërat e forta mund të shkaktojnë dëmtime në objekte, automjete dhe kultura bujqësore”, ka bërë të ditur IHMK.

Sipas institutit, paralajmërimi është në fuqi më 22 korrik nga ora 00:00 deri në orën 23:59 (GMT+2), dhe përfshin të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë stuhive të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura, të mos strehohen nën pemë të vetmuara apo pranë shtyllave elektrike dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion.

“Qytetarët rekomandohen të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit”, thuhet në njoftim.

Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe do të publikojë përditësime të reja nëse do të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, sipas matjeve të regjistruara nga Rrjeti Shtetëror Meteorologjik në Suharekë dhe Istog, gjatë datave 20 dhe 21 korrik janë regjistruar shpejtësi të erës që lidhen me përkeqësimin e kushteve atmosferike.

Komento: