Paralajmërime për dimër të zorshëm: Kosovarët po blejnë dru e qymyr

09:06 | 17 October 2022

Paralajmërimet për dimër të vështirë në Kosovë, për shkak të krizës energjetike e ngritjes së çmimeve të lëndëve për ngrohje, shumë qytetarë kanë filluar të blejnë dru dhe qymyr për të siguruar ngrohje me çmim më të lirë.

Shitësit thonë se sivjet kërkesa për thëngjill është rritur shumë, ndërsa ekspertët theksojnë se do të ketë ulje të madhe të cilësisë së ajrit.

Kriza e paralajmëruar energjetike dhe rekomandimet e Qeverisë që qytetarët ta kursejnë atë, pasi mund të ketë edhe reduktime gjatë periudhës së dimrit, shumë qytetarë kanë filluar të sigurojnë alternativat më të lira për tu ngrohur gjatë muajve të ftohtë.

Agroni nga Prishtina, tha për Radio Kosovën, se vitin e kaluar është ngrohur me pelet, por tani nga rritja e çmimit të tij, është detyruar ta ndërrojë formën e ngrohjes duke siguruar qymyr dhe dru.

“Çmimi i veletit vitin e kaluar ka qenë nga 180-200 euro toni, ndërsa këtë vit ka shkuar deri në 600 euro. Kjo është arsyeja pse më është dashur të ndërroj mënyrës se si të ngrohemi në shtëpi. Kam vendosur të ngrohem me qymyr dhe me dru. Qymyrin e kam paguar 200 euro, ndërsa metrin e druve nga 70 deri në 80 euro”, tha ai.

Ndërkohë, sipas Ligjit për miniera dhe minerale, licencën për eksploatimin e thëngjillit në Kosovë e ka vetëm Korporata Energjetike e Kosovës. Por, në Prishtinë thëngjilli për ngrohje shitet në formë jolegale.

Njëri nga shitësit, i cili kërkoi të mbetej anonim, tha për Radio Kosovën, se kërkesat për blerje të thëngjillit janë shtuar shumë për këtë vit.

“Krahasim me vitin e kaluar, sivjet kërkesa për qymyr është rritur shumë. Nëse porositë këto ditë qymyr, deri në një javë eventualisht dy nuk ka mundësi për furnizim me qymyr, pasi numri i kërkesave është shumë i madh”, tha ai.

Nga shtimi i madh i ngrohjes me dru dhe qymyr, ekspertët thonë se do të ulet edhe cilësia e ajrit e rrezikohet shëndeti i njerëzve.

Profesori universitar, ekspert i mjedisit, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën, se është e pritshme që në një krizë energjetike dhe ngritje të çmimeve, goditen më të varfrit dhe qytetarët do të gjejnë alternativa të tjera më të lira. Por, ai theksoi se sivjet ndotja e ajrit do të jetë më lartë.

“Shfrytëzimi i rritur i këtyre resurseve fosile, që të dyja njihen si lëndë fosile me karbon të rëndë, pritet të ketë edhe rritje të shkarkimeve ndotëse dhe prishje të mëtejme të cilësisë së ajrit ambiental, që edhe ashtu me të gjitha matjet nga institucionet vendore e ndërkombëtare, del që të jetë shumë i rënduar. Orientimi do të jetë drejt blerjeve së resurseve ose burimeve energjetike më të lira, siç janë druri dhe qymyri, por të cilat e kanë koston më të rëndë në cilësisë e mjedisit e më konkretisht ajrit ambiental që e thithim”.

Ndërkohë, deri në vitin 2018, punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës u është dhënë thëngjill si dhuratë. Në atë vit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik pat marrë vendimin për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut.

Por, së fundmi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka shfuqizuar këtë vendim, në mënyrë që punëtorët të ndihmohen për tejkalimin e krizës. Në matjet e organizatave të ndryshme, Kosova shpesh është renditur në mesin e vendeve me ajrin më të ndotur në botë. Ndotësit më të mëdhenj të ajrit, konsiderohen termocentralet, të cilat djegin thëngjill për prodhimin e energjisë elektrike.

Komento: