Paralajmërimi befasues: Balotelli do t’i bashkohet Juventusit

19:17 | 16 Shkurt 2022

Presidenti i Besiktasit: Balotelli do t’i bashkohet Juventusit.

Presidenti i Besiktasit, Ahmet Nur Cebi, ka nxitur armiqësi me homologun e tij te Adana Demispor, Murat Sancak, duke thënë se Mario Balotelli do t’i bashkohet Juventusit.

Sancak e ka irrituar patronin e Besiktasit duke thënë se do ta angazhojë Senol Gunesin në postin e trajnerit për edicionin e ardhshëm, ndërsa pos që e ka mohuar këtë Nur Cebi ka ardhur edhe me një kundërdeklaratë që është lidhur me sulmuesin italian.

“Nuk e di që Sancak është shef i Besiktasit. Nuk e di që e kam angazhuar atë si zëdhënës për mediat. Nuk është e përshtatshme që presidenti i Adana Demirsporit të bëjë një deklaratë lidhur me Besiktasin, gjë që ka qenë një gënjeshtër e madhe”.

“Edhe unë mund t’ju jap informacion nga Adana Demirspor. Vincenzo Montella do të shkojë te Trabzonspori në vitin e ardhshëm, ndërsa Mario Balotelli do të shkojë te Juventusi”, ka deklaruar Ahmet Nur Cebi.

Duket e qartë se qëllimi i presidentit të Besiktasit ka qenë që t’ia kthejë me të njëjtën monedhë homologut nga klubi rival, meqenëse është thuajse e pamundur që Balotelli t’i bashkohet Juventusit në të ardhmen.

Komento: