Kosova pritet të futet në krizë për shkak të koronavirusit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) thotë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.
“Pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra për kontrollimin e saj kanë dobësuar rëndë perspektiven ekonomike të Kosovës. Ekonomia pritet të tkurret për 5 për qind në vitin 2020 pasi të hyrat nga turizmi, remitencat, eksportet e mallrave dhe IHD-të do të ulen si pasojë e kufizimeve të udhëtimit dhe efektit të COVID-19 te partnerët tregtarë dhe shtetet prej nga vijnë remitancat e diasporës. Perspektiva e përkeqësuar ekonomike pritet të rezultojë në hendeqe të financimit të jashtëm dhe atë fiskal”, thuhet në një njoftim të FMN-së.
Prandaj, për të ndihmuar Kosovën, FMN-ja se ka miratuar kredinë në vlerë prej 51,6 milionë eurosh, ndihmë kjo që është në kuadër të Instrumentit për Financim të Shpejtë (RFI).
Zëvendësdrejtori menaxhues dhe njëherësh ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të FMN-së, Tao Zhang ka thënë se autoritetet në Kosovë kanë reaguar shpejt në përgjigje të pandemisë, por si pasojë e masave ekonomike, pritet që deficiti buxhetor të zgjerohet.
“Si rrjedhojë e këtyre masave, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet dhe me gjasë edhe borxhi do të rritet. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë të jenë të përkushtuara për stabilitet makroekonomik, për aq kohë sa këto masa janë të përkohshme dhe rregulli fiskal rivendoset pas tërheqjes së pandemisë, borxhi publik pritet të mbetet i qëndrueshëm. FMN është e gatshme të mbështesë Kosovën në luftën kundër kësaj pandemie dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj”, citohet të ketë thënë Zhang.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi të premten njoftoi se FMN-ja ka miratuar kredinë për Kosovën.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të miratojë nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar nga COVID-19. Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi, për marrëveshjet financiare të huasë, është 250 milionë euro ose ekuivalent, me afat të kthimit deri në 15 vjet dhe me normë të interesi jo më të lartë se 3 për qind.