Paralajmërimi i fundit: Ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat në Kosovë

21:51 | 07 Janar 2026

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve intensive të shiut gjatë tre ditëve të fundit, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit dhe me intensitet më të ulët në pjesë të tjera të Kosovës, gjatë natës së sotme pritet një ndryshim i dukshëm i kushteve meteorologjik.

Sipas sinoptikëve, presioni atmosferik do të vazhdojë të bjerë, duke lehtësuar kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajon. Era, e cila gjatë ditës ka fryrë nga juglindja, gjatë natës do të ndryshojë drejtimin nga veriu dhe verilindja, duke sjellë masa ajrore të ftohta me origjinë veriore. Si pasojë, temperaturat do të bien ndjeshëm në të gjitha rajonet e vendit.

“Reshjet e shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore, fillimisht në zonat kodrinore dhe malore, dhe më pas edhe në fushat e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zonat e fushave. Në disa lokalitete malore reshjet e dendura të borës tashmë po regjistrohen dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Temperaturat minimale do të bien nën zero gradë Celsius gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica në rrugë, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështirës. Këto kushte mund të rrezikojnë sigurinë e trafikut, veçanërisht në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku priten ngrirje dhe reshqitje të shpejta të sipërfaqeve rrugore.”, ka njoftuar Instituti.

Autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve rekomandojnë gatishmëri të plotë, ndërsa pjesëmarrësit në trafik këshillohen të përdorin pajisje dimërore, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet reale të rrugës.

Këto kushte meteorologjike mund të ndikojnë edhe në sektorë të tjerë, si bujqësia, furnizimi me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve. Qytetarët paralajmërohen të ndjekin njoftimet zyrtare meteorologjike dhe të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë personale.

Komento: