Banka Qendrore Gjermane: Po shkojmë në recesion.
Ekonomia gjermane do të rrëshqasë në recesion në gjysmën e dimrit të vitit pas një rritjeje të papritur të aktivitetit në tremujorin e verës, ka paralajmëruar banka qendrore.
Ekonomia u rrit me 0.3 për qind në periudhën korrik-shtator krahasuar me tre muajt e mëparshëm, sipas një vlerësimi paraprak të zyrës së statistikave, falë ecurisë së mirë të sektorit të shërbimeve pas heqjes së shumicës së kufizimeve para pandemisë, vuri në dukje Bundesbank. Në gjysmën e dimrit të vitit, aktiviteti ka të ngjarë të ulet, vlerësojnë ata, duke theksuar se kostot e energjisë dhe furnizimi i pasigurt përbëjnë një barrë të rëndë për kompanitë.
Dobësimi i ekonomisë botërore do të reflektohet në eksportet gjermane, ndonëse mbushja e porosive dhe zbutja e problemeve në zinxhirët e furnizimit amortizojnë disi uljen e kërkesës.
Inflacioni i lartë frenon konsumin personal, e me këtë edhe aktivitetin në kompanitë e shërbimit në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, paralajmërojnë ata. “Inflacioni mund të mbetet dyshifror edhe pas kalimit në vitin e ri”, vlerëson Bundesbank në raportin e saj mujor.
Mbështetja e shtetit për qytetarët me fatura të larta të gazit do të lehtësojë barrën në muajin dhjetor, por ende nuk është e qartë se sa do të reflektohet kjo në përllogaritjen zyrtare të çmimit dhe rrjedhimisht në normën e inflacionit, theksojnë ata.
Në tetor, inflacioni u rrit në 10.4 për qind dhe për herë të parë që nga vitet 1950, ai u shpreh me dy shifra. Një stimul shtesë për inflacionin mund të jetë spiralja që ndodh pasi rritja e çmimeve rezulton në paga më të larta dhe pagat më të larta rezultojnë në rritje më të fortë të çmimeve. Sindikatat dhe kompanitë kanë rënë dakord për rritjen e pagave së fundmi, theksojnë ata.
Kështu, sindikata e punëtorëve në sektorin publik dhe punonjësve në administratën federale dhe vetëqeverisjen lokale kërkon rritjen e pagave prej 10.5 për qind në 12 muajt e ardhshëm. Edhe pse kërkesat për një rritje kaq të madhe pagash nuk ka gjasa të pranohen, rreziku për të nisur një spirale është rritur, përfunduan ata.