Paralajmërohet rikonfigurimi i Qeverisë ‘Haradinaj’

10:37 | 14 February 2019

Kosova dhe Serbia janë duke i bërë përgatitjet e fundit për arritjen e një marrëveshje finale mes vete.

Përderisa flitet se këtë vit do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë, njohësit e politikës në vend e shohin të arsyeshme që në këtë proces Kosova të ketë qeveri gjithëpërfshirëse.
Analisti Ramush Tahiri tha për Radio Kosovën se rikonfigurimi i Qeverisë duhet të bëhet edhe është i mirëseardhur.

“Nëse shkon Partia Social Demokrate do të ishte mirë, sepse ia siguron qeveria minimumin e votave që duhet për funksionim, që është 61 vota, momentalisht nuk i ka, i ka 53 me largimin e Listës Serbe. Tash, edhe më përjashtimin e ministrit Rikallo kjo qeveri e ka të vështirë t’i drejtohet kuvendit dhe projektligjet t’i dorëzojë në kuvend. Pra, duhet rikonfigurim”, tha ai.

Por politikologu Belul Beqaj tha për Radio Kosovën se ri-konfigurimi i qeverisë është shumë pak i mundshëm.

“Për arsye se nënkupton domosdoshmërinë e ri-konfigurimit të ekipit negociator, dhe ri-konfigurimi i ekipit negociator nënkupton edhe ri-konfigurimin e pozicioneve të kryesueseve të grupit negociator. Në fakt kjo edhe e hedh në diskutim serioz çështjen e idesë së Hashim Thaçit, prandaj kjo është shumë pak e mundshme, por nuk përjashtohet”, tha ai.

Tashmë edhe LDK-ja ka dhënë dy mundësi për zhvillimet në vend. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Dialogu do të duhej të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime, ose të bëhet formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje.

Edhe njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri e sheh të udhës që në qeveri të përfshihej LDK-ja.

“Tash a do të shkojë Kosova drejt një ri-konfigurimi gjithëkombëtar që me hy edhe LDK-ja do të ishte e udhës, sepse do të bëhej një program kombëtar ose shtetëror i cili kapërcen çështjet e mëdha. Nëse Bashkësia Ndërkombëtare kërkon që brenda këtij viti të bëhet marrëveshja me Serbinë, marrëveshja për normalizim, atëherë një koalicion i madh do të ndihmonte me dy të tretat e votave që të kapërcehet çështja”, tha ai.

Në këtë kuadër edhe për LDK-në, çështja e Dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.

Komento: