Paralajmërohet sërish rritja e rasteve me koronavirus

18:33 | 12 Prill 2021

Është paralajmëruar sërish rritja e rasteve me koronavirus.

Rreth 49 mijë kosovarë kanë kaluar kufirin e Kosovës në drejtim të Shqipërisë për tre ditët e fundit (Nga e premtja deri të dielën). Qëndrimi i tyre jashtë vendit po konsiderohet se do të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve të infektuara me koronavirus.

Shkuarja e qytetarëve për vizitë në shtetet tjera, e veçanërisht në Shqipëri po vlerësohet se mund të përkeqësojë situatën me pandeminë COVID-19 në vend.

Vetëm nga 9 prilli deri më 11 prill, 48 mijë e 621 persona kanë kaluar kufirin e Kosovës në drejtim të Shqipërisë.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Express se më 9 prill të këtij viti në Pikë-Kalimet Kufitare me Shqipërinë kanë kontrolluar gjithsej 15 mijë e 427 persona, më 10 prill kanë kontrolluar 14 mijë e 776 persona, ndërsa më 11 prill 18 mijë e 418 persona.

Këto shifra po vlerësohen tejet shqetësuese në kohën kur Qeveria ka ashpërsuar masat Anti-COVID për menaxhimin e pandemisë, derisa kjo e fundit edhe po kritikohet për masat e marra.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express se për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që kanë shkuar gjatë këtyre ditëve në Shqipëri, do të ketë rritje të rasteve të infektuara me koronavirus në vend.

Ai ka thënë se qytetarët që kanë shkuar për vizitë në këtë shtet nuk kanë respektuar masat mbrojtëse ndaj COVID-19, dhe se atyre nuk i është matur as temperatura kur kanë shkuar në Shqipëri dhe kur kanë hyr në vend.

“Do të ketë rritje të rasteve të infektuara. Hotelet në Shqipëri kanë qenë plot me kosovarë, asnjë respektim të masave nuk ka pasur. Kosovarëve askush nuk ia ka mat temperaturën as kur kanë shkuar as kur kanë ardhur. Qeveria nuk është e brengosur për menaxhimin e pandemisë, as për sigurim të vaksinës, e as nuk po merr masa që e zvogëlojnë numrin e të infektuarve”, ka thënë ai.

Haxhiu ka kundërshtuar masat e fundit të marra nga Qeveria, derisa e ka parë të panevojshme mbylljen, duke thënë se nuk ka treguar efekte.

“Ne edhe vitin e kaluar kemi parë kur prej dy rasteve të infektuara është mbyllur Kosova. Derisa kufijtë kanë qenë të hapur, nuk ka treguar asnjë efekt mbyllja, por respektimi i masave po. Unë jam kundër mbylljes, por pro respektimit të masave. Ka mundësi që të menaxhohet më mirë pandemia por ministri ka treguar që nuk din ta menaxhoj pandeminë por dinë të mbyll”, ka thënë ai.

Ndërsa, edhe nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë se çdo tubim i qytetarëve si brenda vendit ashtu edhe jashtë është shqetësues, pasi sipas tij, nuk po respektohet distanca.

Ai ka thënë se si në Shqipëri edhe në vend qytetarët kanë mbajtur takime në grupe pa respektuar distancën.

Përndryshe, ai ka theksuar se punëtorët shëndetësorë tashmë janë lodhur nga përballja me pandeminë që një vit.

“Lodhja është evidente për gjithë stafin shëndetësorë sepse u bë tashmë 1 vit me pandeminë dhe stafi shëndetësorë është edhe pa pushime vjetore. Ne po vazhdojmë të ofrojmë shërbime me kapacitete të plota për pandeminë. Ne do të përpiqemi që në çdo moment të japim maksimumin tonë, por se si do të jetë situata pastaj, këtë nuk mund ta themi”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, është shprehur se aktualisht Kosova ka më shumë të infektuar se sa Shqipëria, dhe se ky shtet mund të jetë më i rrezikuar nga vendi se e kundërta.

Megjithatë, ai është shprehur se qëndrimi i qytetarëve në grupe është shqetësues në vend.

Për këtë ai ka thënë se për masat e mara nuk ka pasur koordinim.

“Aktualisht ne kemi shumë më shumë të infektuar se sa Shqipëria. Ata që e dërgojnë virusin mund të jemi ne, e jo që ne të shkojmë e ta marrim atë atje. Në momentin kur ne i kemi mbi 500-600 të infektuar, Shqipëria është me vaksinime shumë përpara”, ka thënë ai.

Ndërsa, shqetësuese fluksin e madh të qytetarëve që po shkojnë për vizitë në Shqipëri, e ka parë drejtori i përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë për media se një nga qëllimet e masave që ka marrë qeveria është që të pamundësojë grumbullimin e njerëzve në masë të madhe.

Por që, sipas tij, dyndja e një numri të madh të qytetarëve drejt Shqipërisë, nga profesionistët shëndetësorë është parë me shqetësim për shkak të përhapjes së infeksionit.

Kujtojmë që më 5 prill Qeveria kishte marrë vendim që të ashpërsojë masat mbrojtëse ndaj COVID-19 për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi.

Për masat e marra ka pasur shumë kritika.

Komento: