Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje.
Në zgjedhjet e së dielës Lista Serbe mori kryesimin e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, të gjitha me mbi 90 për qind të votave. Ndonëse në atë pjesë të vendit garuan dy parti politike shqiptare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të njëjtin guxim vlerësohet se nuk e patën edhe partitë tjera serbe, siç kanë thënë drejtuesit e këtyre të fundit, për shkak të shantazhit dhe të kërcënimeve të Listës Serbe, shkruan gazeta “Zëri”.
Kësisoj, konsiderohet se edhe pas zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe ndryshimi do të jetë i pamundur dhe demokracia nuk do të ekzistojë. Menjëherë pas fitores Lista Serbe nuk e mohoi mundësinë e dorëheqjeve të kryetarëve serbë, madje ata theksuan se për një gjë të tillë do të konsultohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Analisti politik Rasim Alija në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se zgjedhjet në veri e kanë mbytur demokracinë dhe pluralizmin. “Në zgjedhje ku kandidatët e një subjekti politik arrijnë fitore me 98% të votave nuk flasim më për demokraci. Flasim për mbytje të sistemit demokratik e të pluralizmit. Ndërsa sa u përket dorëheqjeve, nëse ndodhin, e sinjalet janë për një gjë të tillë, do ta kthejnë gjithë procesin në pikën zero dhe e gjithë kjo do t’i bënte zgjedhjet vetëm një farsë të demokracisë”, ka thënë Alija.
Sipas tij, në veri nuk do të ndryshojë asgjë pas këtyre zgjedhjeve dhe se për një gjë të tillë nuk kanë pritje as vetë serbët që jetojnë atje.
“Praktikisht nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë asgjë. Janë po të njëjtit kandidatë të Listës Serbe që i kanë kërcënuar e i kanë shantazhuar partitë tjera serbe, siç është SLS-ja, në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Janë po të njëjtit kandidatë që e kanë kontestuar sovranitetin e Kosovës në atë pjesë e do të vazhdojnë ta kontestojnë sërish. Lista Serbe është pararojë e politikave instrumentaliste të Beogradit. Në këtë frymë ndryshimi atje është i pamundur, i papritshëm dhe nuk mund të mendohet as si dëshirë”, ka deklaruar ai.