Paralajmëron Amerika: Rusia këtë javë mund ta pushtojë Ukrainën

16:58 | 16 February 2022

Antony Blinken: Rusia nuk po i tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën, mund ta pushtojë këtë javë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk po shohin prova se Rusia po i tërheq trupat e saj nga kufiri me Ukrainën, pavarësisht pretendimeve ruse, raporton CNN.

“Fatkeqësisht, ka një ndryshim midis asaj që thotë Rusia dhe asaj që bën. Dhe ajo që ne po shohim nuk është një tërheqje kuptimplotë”, tha Blinken në “Good Morning America” të ABC.

“Përkundrazi, ne vazhdojmë të shohim forca, veçanërisht forcat që do të ishin në pararojë të çdo agresioni të rinovuar kundër Ukrainës, duke vazhduar të jenë në kufi, të grumbullohen në kufi”, tha ai.

Blinken përsëriti se SHBA-ja beson se Rusia mund të pushtojë Ukrainën fqinje në çdo moment, përfshirë këtë javë.

“Ne thamë se ishim në një dritare kohore në të cilën pushtimi mund të vinte në çdo kohë. Presidenti Putin ka krijuar kapacitetin për të vepruar në një njoftim shumë të shkurtër. Ai mund ta tërheqë këmbëzën. Ai mund ta tërheqë sot. Ai mund ta tërheqë nesër. Ai mund ta tërheqë javën e ardhshme. Forcat janë atje nëse ai dëshiron ta rinovojë agresionin kundër Ukrainës”, tha Blinken.

Blinken nënvizoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar në përpjekjen për ta ndjekur rrugën diplomatike për zgjidhjen e kësaj situate, por tha se topi është në fushën e Rusisë.

Zyrtarë të shumtë amerikanë i thanë gjithashtu CNN se nuk ka prova për të vërtetuar pretendimet ruse për një tërheqje të trupave të saj pranë kufirit ukrainas.

“Ne nuk kemi parë ndonjë tërheqje të besueshme, të verifikueshme ose kuptimplote”, tha një zyrtar i administratës Biden për CNN, duke u kërkuar gazetarëve që “të jenë thellësisht skeptikë ndaj burimeve zyrtare ruse” që pretendojnë të tregojnë një tërheqje të forcave.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se SHBA-ja “nuk po sheh asnjë lëvizje që e mbështet këtë pretendim” nga Rusia.

Komento: