Paralajmëron Juventus rënien në Serie B?

11:18 | 29 April 2023

Juventus paralajmëron rënien në Serie B?

Juventus i ka shpëtuar të paktën për momentin pezullimit me 15 pikë në këtë sezon të Serisë A, megjithatë rreziku për një dënim edhe më të rëndë mbetet ende i pranishëm te bardhezinjtë.

Kjo pasi drejtuesit më të lartë të klubit, Andrea Angelli, Fabio Paratici dhe Federico Cherubini u lanë sërish fajtorë për manipulim të bilanceve financiare, të cilat kanë ndikuar edhe në ecurinë sportive të klubit.

E për “t’i dalë të keqes përpara”, bardhezinjtë kanë njoftuar tifozët mbi rrezikun e zbritjes në Serinë B, por edhe përjashtimit nga Kupat Europiane, duke qenë se edhe UEFA po heton tashmë dosjen e torinezëve.

Në një email të dërguar drejt abonentëve premium të stadiumit “Allianz”, drejtuesit e Juves u kanë lënë afat për të konfirmuar rinovimin e abonimit deri më datën 19 maj, duke paguar 85% të vlerës totale të tij.

Megjithatë në email sqarohet se ekziston rreziku i rënies në Serinë B apo përjashtimit nga Europa. Kështu në rast rënieje, tifozëve u është premtuar një rimbursim në vlerën 30% të parave që do të paguajnë për konfirmimin e abonimit dhe pjesa prej 15% do të paguhet vetëm nëse skuadra luan në një kompeticion europian.

Kolegji i Garancive Sportive në Itali rrëzoi dënimin prej 15 pikësh për Juventusin, por riktheu çështjen në Gjykatën e Apelit Sportiv, për një tjetër vendim mbi klubin bardhezi, që pritet të merret brenda muajit maj. /SS

Komento: