Paralajmëron pulmologu: Ndotja e ajrit po rrit rrezikun për përkeqësim të sëmundjeve të mushkërive

09:56 | 06 Dhjetor 2025
Paralajmëron pulmologu: Ndotja e ajrit po rrit rrezikun për përkeqësim të sëmundjeve të mushkërive

Mjegulla dhe ndotja e ajrit po ndikon në shëndetin respirator, e veçanërisht tek personat me astmë dhe sëmundje të tjera kronike. Kështu ka vlerësuar pulmologu, Besim Morina në një intervistë për Ekonomia Online duke theksuar se kjo ndotje po rrezikon personat që kanë probleme me frymëmarrje.

“Kushtet atmosferike kanë ndikim në shëndetin e mushkërive sidomos te njerëzit që kanë probleme respiratore, këtu flasim për njerëz që kanë astmë bronkiale, njerëzit që kanë bronkit, njerëzit që kanë edhe sëmundje të tjera kronike të mushkërive. Këta janë gjithmonë njerëz që janë shumë të ndjeshëm në ndryshimet atmosferike, në ndryshimin e presionit të ajrit, të lagështisë së ajrit, sidomos në kushtet atmosferike të tilla të veçanta siç është mjegulla apo i ftohti i madh. Mjegulla është vërejtur që ka ndikim direkt në përkeqësimin e sëmundjeve kronike, përkeqësimin e astmës bronkiale”, ka deklaruar Morina.

Muajt e ftohtë, sipas Morinës, mbeten periudha më e rrezikshme për pacientët respiratorë për shkak të infeksioneve sezonale dhe rritjes së ndotjes, të cilat shpesh çojnë në përkeqësim të astmës e bronkitit dhe kërkojnë trajtim shtesë mjekësor.

“Përveç kësaj, mjegulla dihet se e favorizon ose e përkeqëson ndikimin e ndotjes për shkak se ndotja e ajrit në kushtet e mjegullës, pra grimcat e ndotësve të ajrit si nga dioksidi i karbonit, si oksidi i sulfurit, grimcat e imëta, për shkak të kushteve që janë të mjegullës, mbesin në nivelin e ulët të ajrit. Ne kemi mundësi me thith sasi më të mëdha të ndotjes kur kemi kushte të mjegullës. Mjegulla edhe në mënyrë direkte përkeqëson gjendjen respiratore, por edhe në mënyrë indirekte, duke e përkeqësuar efektin e dëmshëm të ndotjes, e bën përkeqësimin e sëmundjeve kronike respiratore”, ka theksuar doktori.

Ai shtoi se shumë pacientë me astmë ende nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin e kushteve atmosferike në gjendjen e tyre, ndërsa edhe përdorimi i tepruar i kondicionerëve mund të përkeqësojë simptomat për shkak të tharjes së ajrit.

“Fatkeqësisht sa i përket shëndetit respirator nuk është mjaftueshëm, tani së fundi kanë filluar të lexojnë më shumë, të studiojnë gjendjen e tyre më shumë, edhe efektet e dëmshme që i kanë në shëndetin e tyre dhe kushtet e ndryshme atmosferike. Kam shpesh raste që njerëzit që kanë astmë bronkiale nuk janë të vetëdijshëm se cilat kushte atmosferike ua përkeqësojnë gjendjen; pas intervistimit dhe pas marrjes së historisë ata reagojnë dhe tregojnë në mënyrë direkte që përkeqësimi i gjendjes së tyre vjen direkt edhe për shkak të përkeqësimit të kushteve, sidomos së fundmi kemi rastin e kondicionerëve që në masë të madhe janë futur në shtëpitë e kosovarëve. Kemi raste që njerëzit që kanë astmë bronkiale kanë përkeqësime të sëmundjes së tyre pikërisht për shkak të përdorimit të tepërt të kondicionerëve të ajrit, që e thajnë ajrin dhe kjo mund të keqësojë gjendjen e frymëmarrjes. Pikërisht muajt më të ftohtë të vitit janë gjithmonë më të efektshëm sa i përket efektit të dëmshëm respirator. Kjo vjen për shkak të faktorëve: është historiku, prezenca e infeksioneve sezonale, që në muajt e ftohtë të dimrit, në fund të vjeshtës dhe në dimër kemi numër më të madh që ka infeksione respiratore sezonale. Kjo bën që njerëzit që kanë sëmundje respiratore, për ata që kanë astmë dhe bronkit, në momentin që infektohen nga një grip i zakonshëm, kanë përkeqësim të astmës dhe bronkitit, pastaj duhet t’u jepet ndihmë me antibiotikë ose me barna të tjera në mënyrë që ta përballojnë përkeqësimin e sëmundjeve të rënda”, shtoi ai./EO/

Komento: