Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, shprehet i bindur se takimi i 27 shkurtit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të përfundojë me nënshkrim të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Tahiri tha se këtë përshtypje e ka krijuar në bisedime me akterë të ndryshëm politikë në Kosovë, të cilët ndajnë pikëpamjen se, në takimin e së hënës në Bruksel, Kurti do t’ia japë dritën e gjelbër Asociacionit.
Ai shtoi se kjo pastaj do të pasohet me zgjedhjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, derisa hartimi i statutit të Asociacionit pritet të bëhet rreth muajit qershor.
“Kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb, ditën e hënë, prej asaj çka kemi dëgju dhe çka kemi bisedu, me akterë të ndryshëm, ditën e hënë do ta nënshkruajnë marrëveshjen. Pastaj i kemi zgjedhjet në veri, ku do të zgjedhen organet legjitime në katër komunat në veri të Kosovës. Dhe pas asaj, besoj kah qershori do të kemi pikërisht angazhimin e qeverisë së Republikës së Kosovës në hartimin e statutit të këtij asociacioni i cili përcakton strukturën, kuvendin, e të gjitha ato, dhe do të fillojë pra jetësimi i kësaj marrëveshjeje duke mos qenë pjesë e marrëveshjes finale”, deklaroi Tahiri në RTV Dukagjini.
I pyetur nëse opozita do ta kundërshtojë marrëveshjen, Tahiri tha se nuk kanë si ta ndalin Kurtin, pasi nuk ekzistojnë hapa legal që mundësojnë një akt të tillë.
“Ne edhe mund ta ngrehim zhag nga Kuvendi, po me ndalë prej këtij angazhimi nuk kem mundësi, hapa legal nuk kemi mundësi të bëjmë. Mund të jemi ende më të vrazhdë se ai”.
Tutje, ai tha se Kurti nuk do ta sjellë këtë marrëveshje për votim në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk besoj që Kurti do ta sjellë këtë marrëveshje në Kuvend, ashtu si nuk është votu marrëveshja e Uashingtonit. Kurti po merr zotime dhe po merr veprime pa i sjellë në kuvend”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel në kuadër të dialogut, ku do të diskutojnë për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, të njohur si Plani Evropian.
Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00. Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.