Parashikimi i frikshëm i OBSH për Turqinë: Numri i viktimave mund të arrijë në 20 mijë

23:13 | 07 Shkurt 2023

Vijojnë kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë pas tërmeteve shkatërruese të ditës së hënë.

Bilanci i deritanishëm i viktimave flet për mbi 6 mijë e 300 persona të vdekur, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se shifra e fataliteteve mund të arrijë në 20 mijë.

Skuadrat e shpëtimit po nxitojnë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, pasi disa mijëra godina u shembën në të dyja vendet.

Tërmeti me magnitudë 7.8 e pati epiqendrën e tij në Gaziantep dhe u regjistrua në orën 4 e 17 të mëngjesit të së hënës, teksa njerëzit ishin në gjumë.- Advertisement –

Sipas zyrtarëve vendas, mbi 4 mijë e 544 persona kanë vdekur vetëm në Turqi. Ndërsa në Siri bilanci i viktimave flet për 1 mijë e 782 të vdekur. Ndërkohë, 30 mijë e 474 të tjerë në të dyja vendet janë lënduar.

Ndërkohë, numri i personave të prekur nga efektet dhe dëmet e tërmeteve shkon mbi 1 milion, duke pasur parasysh faktin se godinat e shkatërruara janë rreth 6 mijë.

Autoritetet turke kanë deklaruar ndërkohë se mbi 24 mijë anëtarë të skuadrave të emergjencës po ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nxjerrë të gjallë rreth 8 mijë persona.

Ndihma ndërkombëtare po dërgohen në rajonet e prekura nga OKB, BE, NATO dhe qeveritë nga e gjithë bota.

Komento: