Partia e Ramush Haradinajt formon forumin e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga kjo parti

13:10 | 20 Korrik 2022

AAK formon forumin e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga kjo parti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka formuar forumin e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga kjo parti dhe tha se ky forum do të shërbejë si mekanizëm për adresimin e problemeve të komunave në raport me qeverinë qendrore.

Siç u tha në një konferencë për media nga kjo parti, ky forum do të drejtohet me rotacion nga kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK, ku fillimisht do të udhëhiqet nga Ardian Gjini.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qerverinë Kurti se ka kohë që nuk po tregohet bashkëpunuese me komunat.

“Jemi të shqetësuar që Kosova mund të shkojë në kolaps për shkak të krizës energjetike në prag. Jemi dëshmitar që inflacioni në vend është mbi 14% dhe nuk po shohim veprime konkrete të qeverisë për t’u përballur me këtë krizë. Qeveria po i grumbullon paratë në arkën e shtetit, mirëpo nuk po i nxjerr ato në qarkullim, nuk po i kthen në ekonomi”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Haradinaj ka lavdëruar kryetarët e komunave të partisë së tij.

“AAK ka dëshmuar nivel të mirë qeverisës nëpër komuna, forumi i kryetarëve të AAK-së ka vendosur që udhëheqja të jetë me rotacion dhe i pari që do t’i prijë do të jetë kryetari i Gjakovës dhe nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini”.

Komento: