Serbët me parulla në serbisht e rusisht:”Nuk ka ndarje, as dorëzim, Kosova është Serbi”.
Serbët sot po festojnë një nga festat më të rëndësishme fetare të tyre. Bëhet fjalë për festën e Vidovdanit, e cila po festohet edhe në Kosovë.
Rreth dhjetë autobusë me serbë nga qytetet e Serbisë, kanë zbarkuar në Gazimestan, ku ka nisur të mbahet ceremonia për shënimin e kësaj feste, shkruan Reporteri.net.
Në këtë ceremoni po marrin pjesë qindra qytetarë serbë, të cilët përpos flamujve serbë po mbajnë edhe flamujt e shtetit mik të Serbisë, Rusisë.
Një grup prej tyre kanë shpalosur një pankartë të madhe ku në gjuhën serbe dhe atë ruse dërgohet mesazh se nuk ka ndarje, e as dorëzim dhe se Kosova është pjesë e Serbisë.
“Nuk ka ndarje, as dorëzim”, është mesazhi i shkruar në të dy gjuhët në pankartën që ata e mbajnë në duar.