
Policia e Kosovës sot ka arrestuar Ridvan Muharremin, pronar i restorantit “Bukë e zemër”, në lidhje me aferën e rezervave shtetërore.
Pas arrestimit të tij, një prononcim të shkurtë për gazetarët e ka dhënë avokati i tij, Mahmut Halimi, i cili tha se klienti i tij është dërguar në Prokurorinë Speciale për të dhënë një deklaratë.
Ai vazhdoi të thoshte se s’ka urdhërarrest për të.
“Urdhërarrest nuk ka, ka urdhër për bastisje. Tash klientin tim e kanë dërguar direkt në Prokurorinë Speciale ku do ta japë një deklaratë dhe pastaj vendoset se si do të jetë epilogu dhe status i tij”.
Ai tha se nuk është i sigurt mbi arsyen e arrestimit të tij.
“Ende nuk kemi as dyshime, me siguri se fjala është për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe vajit. Për këtë do të japim sqarime atje. Provat janë, kështu që gjithçka do të sqarohet”, tha avokati.
Policia sot me mëngjes ka bastisur pronat e Muharremit, ndërsa ka arrestuar edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.