Pas Avdullahut, Kosova synon edhe Albian Hajdarin: Agim Ademi takohet me treshen kosovare në Hoffenheim

22:47 | 30 Gusht 2025

Kombëtarja e Kosovës pak ditë më parë zyrtarizoi afrimin e mesfushorit Leon Avdullahu tek ‘Dardanët’.

Avdullahu do të jetë tani e tutje një forcë e shtuar për përzgjedhësin Franco Foda dhe tashmë ka marrë ftesën për dy ndeshjet që Kosova do t’i luajë në shtator në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

‘Dardanët’ do të luajnë fillimisht më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim, para se të presin në ‘Fadil Vokrri’ Suedinë më datë 8 shtator.

Megjithatë, duket se Kosova nuk është mjaftuar vetëm me Avdullahun, pasi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është takuar edhe me mbrojtësin Albian Hajdari.

“Jam i lumtur që unë si sponsor i klubit TSG Hoffenheim, në këtë kohë kur në formacion te ekipit janë tre futbollistë të Kosovës, njëkohësisht të ftuar kishim ne këtë ndeshje me ftesë të klubit Hoffenhei, presidentin e Federatës, Agim Ademin dhe Bajram Shalën. Bashkë për Kosovën”, ka shkruar Afrim Osmanaj, i cili mirëpriti delegacionin nga Kosova.

Kujtojmë se Hajdari së fundmi iu bashkua Hoffenheimit nga Lugano, aty ku kishte luajtur që nga viti 2022./Telegrafi

Komento: