Një bisedë telefonike mes Putinit dhe Bidenit është realizuar sot.
Ndihmësi presidencial rus Yury Ushakov e përshkroi një telefonatë të shtunën midis presidentit të SHBA-ve Joe Biden dhe presidnetit rus Vladimir Putin si “të ekulibruar dhe biznesore”, por ai tha se SHBA-të dhe NATO nuk kanë arritur të trajtojnë shqetësimet kryesore të Rusisë.
Ushakov tha se biseda e cila zgjati pak më shumë se një orë, “u zhvillua në një atmosferë histerie rreth pushtimit të supozuar rus të Ukrainës”.
Ai më tutje tha se Biden i kishte thënë Putinit se “është i përkushtuar në rrugën diplomatike dhe kishte paraqitur një sërë konsideratash rreth shqetësimeve të Rusisë”.
“Presioni rreth temës së pushtimit u krye në mënyrë të koordinuar dhe histeria ka arritur kulmin”, thotë Ushakov.
Putin thuhet t’i ketë thënë Bidenit se Perëndimi i ka injoruar shqetësimet kryesore të sigurisë së Rusisë, duke thënë se SHBA dhe aleatët e saj kanë “pompuar” Ukrainën me armatime të reja duke inkurajuar provokime nga forcat ukrainase.
“Pala ruse, sigurisht, do të analizojë me kujdes konsideratat e shprehura nga Biden dhe padyshim që do t’i marrë parasysh, por për fat të keq këto konsiderata nuk prekin elementët qëndrorë të nismave ruse për zgjerimin e NATO-s, mosvendosjen e forcave në Ukrainë, territorin dhe të tjera”, thotë Ushakov.
Në anën tjetër, siç raporton CNN, sipas një komunikate të lëshuar për media nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se presidenti Biden i kërkoi Putinit të shmanget nga ideja e pushtimit të Ukrainës, meqë “do të shkaktojë vuajtje njerëzore”, shkruan lajmi.net.
“Presidenti Biden përsëriti se një pushtim i mëtejshëm rus i Ukrainës do të prodhonte vuajtje të gjerë njerëzore dhe do të zvogëlonte pozitën e Rusisë”, thotë Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Biden “e kishte të qartë me Presidentin Putin se teksa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar në diplomaci, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, ne jemi po aq të përgatitur për skenarë të tjerë”, sipas Shtëpisë së Bardhë.