Pas deklaratave të Prindon Sadriut, reagon dhe i dënon ato edhe Federata Evropiane e Gazetarëve

11:37 | 10 Shkurt 2022

Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ, ka reaguar pas deklaratave denigruese ndaj gazetarëve nga Zotëriu i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu.

EFJ nëpërmjet rrjetit social Twitter i ka bërë thirrje Sadriut t’i ndalojë sulmet ndaj gazetarëve.

“EFJ i bën thirrje Prindon Sadriut t’i ndalojë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve”, ka shkruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez.

Sadriu edhe të mërkurën mbrëma përmes një shkrimi në Facebook, tha se tendencat për të njollosur veprimtarinë e imazhin e Presidentes Osmani, janë thelbësisht vështirë të tolerueshme, sepse ato çdoherë kanë rezultuar me kërcënimin ndaj jetës dhe sigurisë së tyre, gjë që ka rezultuar edhe me vlerësimin më të lartë të rrezikshmërisë nga ana e institucioneve të sigurisë, shkruan Reporteri.

“Përfundimisht, aq sa do të jem gjithnjë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes, po aq shumë do të jem ithtar i promovimit dhe mbrojtjes së gazetarisë profesionale e të pavarur. Asnjëherë nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenojë gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara”, shkroi Sadriu ndër tjera.

Por, edhe para pesë ditësh, Zotëriu i parë Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ashtu siç bëri edhe të martën mbrëma.

Pasi e kishte shpërndarë reagimin e këshilltarit të Vjosa Osmanit, Bekim Kupinës, ndaj një teksti të publikuar në disa media ku thuhej (mundesh me hjek krejt, veç qe don mi qepu Vjosës) në profilin e tij zyrtar në Facebook, Sadriu kishte shkuar “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Për shkrimet e tij ka reaguar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Vioa von Cramon.

“Prandaj jam duke monitoruar nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, tha ajo.

Komento: